Trumpi tha se është arritur armëpushimi, por luftimet Tajlandë-Kamboxhia vazhdojnë

Përleshjet mes forcave të Tajlandës dhe Kamboxhias vazhduan edhe të shtunën, vetëm disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se dy vendet kishin rënë dakord për një armëpushim.

Kryeministri i Tajlandës, Anutin Charnvirakul, tha se i kishte bërë të qartë presidentit Trump se një armëpushim është i mundur vetëm pasi Kamboxhia të tërheqë të gjitha forcat dhe të largojë minat tokësore nga kufiri. “Tajlanda do të vazhdojë veprimet ushtarake derisa të mos ketë më kërcënime për tokën dhe popullin tonë”, shkroi ai në rrjetet sociale, raporton BBC.

Të dyja palët raportuan bombardime dhe shkëmbime artilerie përgjatë kufirit. Ministria e Mbrojtjes e Kamboxhias njoftoi se avionë tajlandezë bombarduan disa objektiva, ndërsa Tajlanda tha se disa civilë u plagosën nga sulmet me raketa të Kamboxhias.

Sipas të dhënave zyrtare, të paktën 21 persona kanë humbur jetën dhe rreth 700 mijë banorë janë evakuuar në të dy anët e kufirit.

Presidenti Trump kishte deklaruar më herët se, pas bisedimeve me udhëheqësit e dy vendeve, ishte arritur dakordësia për ndalimin e luftimeve dhe rikthimin te marrëveshja e armëpushimit e nënshkruar në tetor. Megjithatë, pas këtyre deklaratave, luftimet nuk janë ndalur.

Nga ana e saj, udhëheqja kamboxhiane ka theksuar se do të vazhdojë luftimet për të mbrojtur sovranitetin e vendit, ndërsa ushtria tajlandeze ka konfirmuar se përleshjet vazhdojnë në zonat kufitare.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button