SPAK-u i kërkon Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka paraqitur zyrtarisht pranë Kuvendit të Shqipërisë kërkesën për dhënien e autorizimit për arrestimin ose heqjen e lirisë së deputetes, ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Sipas SPAK, Belinda Balluku është marrë në cilësinë e të pandehurit, pasi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal. Akuza lidhet konkretisht me procedurën e prokurimit për objektin “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, një nga projektet infrastrukturore më të rëndësishme të viteve të fundit, raporton A2CNN, transmeton Klankosova.tv.
Po ashtu, SPAK bën me dije se Balluku ka marrë edhe cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi publik. Këto procedura lidhen me projekte madhore infrastrukturore në Tiranë, përfshirë punimet në aksin “Sheshi Shqiponja – Bulevardi i Ri”, ndërtimin e disa segmenteve rrugore dhe urave mbi lumin Tirana, si dhe ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës në lotet 4, 5, 6 dhe 7.
Kërkesa e SPAK ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për vijimin e procedimit ligjor ndaj zyrtares së lartë, në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe ligjore për deputetët dhe anëtarët e qeverisë. Tashmë pritet që Kuvendi të shqyrtojë kërkesën dhe të vendosë për dhënien ose jo të autorizimit.






