Shqiptarët përballë të kaluarës komuniste

A janë “përballur”, a i kanë “mbyllur llogaritë”, a kanë “bërë paqe”, shqiptarët me të kaluarën e tyre komuniste? Janë pyetje që i kam dëgjuar apo lexuar shpesh nga gazetarë, studiues, por edhe vizitorë të huaj ndërkohë që në shoqërinë shqiptare ato mungojnë thuajse krejtësisht.
Shkruan: Fatos Lubonja
Qoftë nga termat “përballje”, “mbyllje llogarish”, “paqe”, qoftë nga gjuhët e përdorura, por edhe nga përvoja e vendeve prej nga vijnë të huajt ato përmbajnë sfumatura të ndryshme kuptimore e emocionale. Gjithsesi, përtej këtyre sfumaturve, ideja që të sugjerojnë, ashtu siç i rreshtova, është se “përballja” konsiderohet si faza e parë, kushti për fillimin e një procesi që do të na çonte te fazat e mëtejshme: të “mbylljes së llogarive” dhe të arritjes së “paqes”.
Duke kërkuar t’u jap përgjigje pyetjeve mbi raportin e shqiptarëve me të kaluarën e tyre komuniste ideja e parë që më ka ardhur në mendje ka qenë në formën e pyetjes: pse shqiptarët ia kanë shtruar pak ose aspak vetes këto pyetje dhe ç’kuptim ka fakti që këto i bëjnë të huajt? Pra reflektimi im është nisur nga nevoja për të kuptuar e shpjeguar shkaqet e heshtjes së shoqërisë ndaj këtyre pyetjeve. Një heshtje që mban në barkun e vet edhe shkaqet e dështimit të lindjes së një debati mbi çështjet që shtrojnë këto pyetje.
Në editorialin e këtij dynumërshi të Përpjekjes kushtuar raportit të shqiptarëve me të kaluarën komuniste, duke iu bashkuar autorëve të tij të shumtë, do përpiqem të hedh disa reflektime që synojnë të kuptojnë se në ç’gjendje është deri më sot faza e parë: ajo e përballjes me të kaluarën, si është bërë ajo, dhe më tej: për aq sa ç’është bërë, a është nisur nga qëllimi për ta na çuar drejt “mbylljes së llogarive” dhe “paqes”, apo na ka çuar në drejtime të tjera, të gabuara – siç më rezulton. Do të përpiqem të hulumtoj gjithashtu shkaqet e marrjes së këtyre drejtimeve të gabuara, dhe, më në fund, të sugjeroj se ç’duhet bërë dhe si duhet bërë një kthesë drejt një përballjeje/debati mbi të kaluarën, që do të na çonte vërtet në mbyllje llogarish dhe në paqe sociale, gjithë pa i konsideruar këto të dyja si arritje përfundimtare, por si synime orientuese të shoqërinë përdrejt të vërtetës dhe lirisë të konceptuara këto si produkte të dialogut të pandërprerë mes njerëzve.
Koment i një studimi si vështrim i parë
Nuk mohohet se në botën shqiptare kanë qarkulluar e qarkullojnë disa tema të rëndësishme që evokojnë përballjen me të kaluarën të tilla si: dënimi moral e politik i krimeve të komunizmit, dënimi ligjor i autorëve të këtyre krimeve, roli i popullit dhe roli i inteligjencës në promovimin e atij regjimi, roli i të kaluarës historike, kërkimi ndjesë, falja, integrimi në shoqëri i viktimave, hapja e dosjeve të Sigurimit të shtetit, lustracioni, gjetja e varreve të të vdekurve nëpër burgje dhe të të dënuarve me vdekje, përkujtimi dhe përkujtimoret mbi atë kohë, dëmshpërblimi moral dhe material i viktimave, etj..