Maskat e reja të fashizmit: Paralajmërimi që vlen akoma

Shkruan: Arian Zeka
Në secilën etapë pasigurie, shoqëritë vihen në kërkim të zërave të fortë që promovojnë rend, ndryshim dhe shteg të shpejtë të daljes nga kriza. Pikërisht në këto momente, kur frika mbipeshon arsyen e kur frustrimi eklipson durimin, paraqitet tendenca e kërcënimeve ndaj demokracisë. Diskursi publik, anembanë botës, është bërë më i vrazhdë. Mospajtimet politike shndërrohen në kryqëzata morale, derisa faktet humbin betejën përballë konspiracioneve. Qytetarët tundohen nga udhëheqësit të cilët ofrojnë përgjigje të thjeshta për sfidat komplekse.
Kjo, megjithatë, nuk është diçka e re. Nëse shekulli i kaluar, i ka lënë diçka njerëzimit, është pikërisht leksioni se sa të brishta janë demokracitë kur ballafaqohen me polarizim, çrregullime ekonomike dhe me politikën e kultit të liderëve. Njerëzimi nuk resht së përsërituri gabimet e tij, e rrjedhimisht edhe nxjerrjen e mësimeve të reja, që janë të vjetra në thelb. Autoritarizmi, rrallëherë shfaqet në portat e shoqërisë, me paralajmërim. Ai vjen ngadalë, i maskuar si patriotizëm, si rilindje kombëtare ose si rikthim dinjiteti.
Në shpirt të këtyre ndryshimeve qëndron ngritja e populizmit. Qytetarët, shpesh ndjehen të lënë anash e pa kujdesin e duhur nga elitat politike, të cilat shkëputen nga zinxhiri i llogaridhënies dhe brengat e përditshme. Udhëheqësit populistë shfrytëzojnë pikërisht këto frustrime duke pretenduar një lidhje të veçantë me njerëzit e rëndomtë, duke e prezantuar vetën si shpëtimtarë nga institucionet, të cilat ata arrijnë t’i paraqesin me sukses si të korruptuara. Derisa populizmi shpesh nis si një reagim ndaj ankesave legjitime, ai shpejtë shndërrohet në një frymë më të rrezikshme, duke kthyer zhgënjimin në pakënaqësi, pakënaqësinë në polarizim e polarizimin në arsyetim për rrënimin e parimeve demokratike, në emër të mbrojtjes së shtetit.
Reflektimet e ish sekretares së Shtetit Amerikan, Madeleine Albright, në librin e saj “Fashizmi: Një paralajmërim”, zënë rrënjë pikërisht në këtë model. Ajo na rikujton se lëvizjet më destruktive politike shpesh zënë fill me udhëheqës të cilët vetëshpallen si zëri i vërtetë i popullit, duke i etiketuar të gjithë ata që nuk pajtohen me pretendimet e tyre, si pengesa ose si armiq. Ajo që pason është tkurrja e hapësirës demokratike, ku institucionet bëhen vegla të pushtetit, në vend të mbrojtësve të interesit publik, ndërsa droja zëvendëson debatin publik.
Sot, jemi dëshmitarë të ngritjes se politikës joliberale në shumë shtete. Erozioni nuk nis gjithmonë me veprime dramatike. Ajo që në fakt shohim është një interpretim “pak” më i lakuar i ligjit, një përbuzje e institucioneve të drejtësisë, një mëdyshje për pavarësinë e medieve, nxjerrje jashtë loje e kritikëve si tradhëtarë, agjentë të huaj ose bashkëpunëtorë të armikut (në diskursin kosovar), me grupe të tëra individësh të kategorizuara si kërcënim ndaj aspiratave kombëtare. Pak nga pak, shoqëritë adaptohen me retorikën dhe veprimet të cilat dikur janë dukur si të paimagjinueshme. Ashtu siç kishte paralajmëruar ish Sekretarja Albright, rreziku fshihet në grumbullimin e veprimeve të vogla, të cilat nuk sfidohen.
Autoritarizmi i ditëve tona nuk ka nevojë për dikator me uniformë. Ai merr formë kur qyetarët bëhen cinikë ose apatikë me zhvillimet përreth tyre. Autoritarizmi modern ka zbuluar një terren tjetër të plleshëm: teknologjinë. Kur rrena udhëton më shpejtë se e vërteta dhe rrjetet sociale fragmentojnë realitetin e plotë në “të vërteta sipas qefit”, manipulimi i emocioneve publike, shpifjet ndaj kundërshtarëve dhe fuqizimi i kulteve të individëve, bëhet më i lehtë për politikanët populistë. Nëse fashistëve të shekullit të kaluar u janë dashur mitingjet publike për ndezjen e masave, ndjekësit e tyre të këtij shekulli, përdorin platformat digjitale për vënien në flakë të popujve të tërë, pa nevojën e grumbullimit, e njëzetekatër orë në ditë.
Prandaj, paralajmërimi i Sekretares Albright nuk është vetëm reflektim historik, por diagnozë edhe e ditëve të sotme. Nëse demokracitë më të fuqishme nuk janë imune ndaj ndryshkjes së ngadaltë të normave sociale, atëherë çka mund të thuhet për demokracitë e brishta?! Normat lëkunden kur qytetarët bëhen cinikë, kur pjesëmarrja në proceset demokratike e sociale shënon rënie dhe kur e vërteta trajtohet si opsionale. Në një klimë të tillë, populli pashmangshëm bëhet bashkëfajtor në çmontimin e vetë lirive të tij, ani pse në mënyrë të pavetëdijshme.
Amaneti kyç i “Fashizmi: Një paralajmërim”, është se mbrojtja e demokracisë nuk mund të bazohet vetëm në ligje dhe institucione. Ajo kërkon vigjilencë dhe vullnet konsistent për të ngritur zërin, edhe kur kjo nuk është shumë e pëlqyeshme. Demokracia nuk mund të mbijetojë në autopilot. Ajo kërkon qytetarë aktivë të cilët janë të vetëdijshëm se mospajtimet nuk janë kërcënim, por janë parakusht për shoqëritë pluraliste.
Albright ka dhënë një pikëpamje kruciale, se fashizmi lulëzon në shoqëritë e ndara, të dërmuara dhe harrestare. Kur qytetarët humbin besimin ndaj njëri tjetrit dhe në institucionet e vendit, kur nuk dallojnë më tej heronjtë nga tradhtarët e vërtetë dhe kur harrojnë mësimet e dhimbshme të së kaluarës, ata krijojnë një terren të përshtatshëm për shfaqjen e tundimeve autoritare.
Detyra jonë për kërkim të llogarisë, transparencës dhe respektimit të sundimit të ligjit, nuk guxon dhe nuk duhet të pushojë asnjëjerë. Njësoj vlen edhe përgjegjësia jonë për mbrojtjen e fakteve në një periudhë të dezinformimit, si dhe të individëve të margjinalizuar dhe të vënë në shënjestër. Mbi të gjitha, detyra jonë është të mos harrojmë se rënia e demokracisë nuk është diçka e pashmangshme dhe se është pasojë e mosveprimit tonë kolektiv.
Rreziku nuk vjen vetëm nga ata që kërkojnë pushtet absolut, por edhe nga neglizhenca jonë kolektive për ta mbrojtur demokracinë. E demokracia nuk bie brenda natës; ajo dëmtohet me hapa të vegjël, shpesh të padukshëm.