Kur një libër lëshon jehonë, vlerësime dhe mallkime për “Jam Mysliman” të Ben Blushit
Kanë kaluar 30 ditë nga dalja në treg e romanit më të fundit të publicistit dhe shkrimtarit Ben Blushi, ‘Jam Mysliman’, një vepër që ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik.
Jo vetëm vlerësimet, por as mallkimet që mori, autori thotë se nuk i priste në masën që ishin, megjithëse ironizoi për bindjen që ekziston se ata që e sulmojnë një libër, kthehen në shitësit më të mirë.
“Në këtë kuptim Jam Mysliman ka me qindra shitës të palodhur të cilët nuk kam pse i falenderoj që më kane fyer, kërcënuar dhe mallkuar pa u menduar dy herë.
Unë nuk i kam atyre asnjë borxh. Librin e shet vetë libri më shumë se sharësit, shitësit dhe librashitësit.” – ka shkruar Blushi.
Autori falënderon mijëra lexues që, brenda 30 ditësh, e kanë kthyer romanin në një ngjarje të jetës së tij.
Me këtë rast, Blushi njoftoi gjithashtu se në javët në vijim, vepra do të promovohet edhe në qytetet, ku s’ka arritur ende.
Madje, ftesa e tij shkoi edhe për ata që e mallkojnë.
“E di që ata kanë shumë pyetje.Janë të ftuar dhe ata që shajnë dhe fyejnë.
Më mirë të më shajnë përballë sesa në facebook me profile fallco.
Ky ballafaqim na stërvit të dyja palëve për librat e mi të ardhshën.”.