Kryetari i FFK-së, Agim Ademi nga SHBA-ja: Ndeshja e mundshme me Amerikën nder i madh, fokusi në rrugëtimin e marsit

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi ishte i pranishëm në shortin e hedhur sot në SHBA, për Kupën e Botës të vitit 2026, që zhvillohet aty dhe në Kanada e Meksikë.

Me një foto të postuar në rrjetin e tij social në “Facebook”, kryetari Ademi ka folur për kundërshtarët e mundshëm në Botëror, në rast kualifikimi nga “play-offi” i marsit 2026.

Kosova do të luajë ndaj Sllovakisë më 26 mars në Bratisllavë, teksa në rast fitoreje do të përballej me Turqinë ose Rumaninë në Prishtinë.

Agim Ademi ka shkruar se është një emocion unik përballja e mundshme me SHBA-në, e cila së bashku me Australinë dhe Paraguajin janë kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në Grupin D.

“Sot në Washington D.C., në shortin e Kupës së Botës 2026 të gjithë pjesëmarrësit përjetuam emocione të veçanta në një ceremoni madhështore në “John F. Kennedy Center”, e ku të pranishëm ishin edhe presidenti amerikan, Donald Trump, presidentja meksikane Claudia Sheinbaum dhe kryeministri kanadez Mark Carney. Ishte kënaqësi dhe nder për ne të ishim pjesë e këtij eventi, me një organizim spektakolar dhe të veçantë, siç di vetëm Amerika t’i realizojë. Shorti vendosi që, në rast të kualifikimit, Kosova të jetë në grup me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, njërin nga tre nikoqirët e Botërorit dhe aleatin tonë të përhershëm, i cili ka qëndruar pranë nesh në momentet më thelbësore të historisë, nga rruga drejt lirisë e deri te shpallja e pavarësisë. Të luajturit kundër SHBA-së në Botëror do të ishte një nder i madh dhe emocion unik për mbarë kombin tonë. Megjithatë, fokusi ynë tani është vetëm te ndeshjet e marsit. Gjithë përkushtimi është tek gjysmëfinalja e ‘play-offit’ ndaj Sllovakisë në Bratisllavë, sfida jonë e parë dhe më e rëndësishme drejt ëndrrës së madhe. Me besim te djemtë tanë dardanë vazhdojmë të punojmë me përkushtim maksimal për të arritur ëndrrën e madhe, të vetëdijshëm se rruga deri atje është shumë e vështirë”, shkruan Ademi në “Facebook”.

Related Articles

Back to top button