Koci apelon për kujdes: Shmangni tranzitin nëpër Serbi me simbole të UÇK-së

Avokati Arianit Koci ka apeluar publikisht tek qytetarët e Kosovës dhe mërgimtarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimeve tranzit nëpër Serbi, duke i këshilluar të mos kenë në automjetet e tyre emblema apo ngjitëse me simbolikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas Kocit, një bashkatdhetar është ndaluar dhe arrestuar së fundmi nga autoritetet serbe vetëm për shkak se në veturën e tij ishte identifikuar një emblemë e UÇK-së. Ai e ka cilësuar këtë ndërhyrje si veprim arbitrar, të pabazuar ligjërisht dhe në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës.
Postimi:
Mos kaloni nëpër Serbi me emblema apo ngjitëse me shkronjat UÇK në veturë.
Sapo më erdhi informacioni se një bashkatdhetar ynë është arrestuar, pasi autoritetet serbe i kanë vërejtur emblemën e UÇK-së në veturë.
Ky veprim është arbitrar dhe juridikisht i pajustifikueshëm.
Shprehja e identitetit politik apo historik nuk përbën vepër penale sipas standardeve evropiane të të drejtave të njeriut. Në këtë rast, këto veprime po përdoren si mjet presioni politik.
Raportet ndërmjet shteteve janë të tensionuara. Çmimin po e paguajnë qytetarët e zakonshëm, të cilët mbesin të ekspozuar ndaj veprimeve arbitrare.
Informimi i ndërsjellë dhe kujdesi mes nesh për momentin janë mburoja e vetme reale.
Prandaj, për sigurinë tuaj, nëse kaloni tranzit nëpër Serbi, hiqni çdo shenjë të tillë.
P.S.
Ju lutëm, shpërndajeni (share) sa më shumë këtë postim.





