Kafeja mund t’ju zgjojë – por a mund ta përkeqësojë dhimbjen kronike?

Një filxhan kafe në mëngjes mund të duket mënyra ideale për ta nisur ditën – por kërkime të reja sugjerojnë se konsumimi i tepërt i kafesë mund t’i përkeqësojë simptomat e dhimbjes kronike, sidomos tek të moshuarit.

Sipas studimit, pirja e sasive të mëdha të kafesë lidhet me intensifikim të dhimbjes, ndërsa konsumimi i lartë i peshkut të yndyrshëm mund të ketë efekt të kundërt, duke e zbutur dhimbjen deri në 44% përgjatë dy viteve.

Studiuesit theksojnë se acidet yndyrore omega-3 që gjenden tek peshku kanë efekt anti-inflamator, ndërsa nivelet e larta të kafesë mund t’i bëjnë qelizat nervore më të ndjeshme ndaj dhimbjes.

“Gjetjet tona kanë rëndësi të madhe për shëndetin publik, veçanërisht për menaxhimin e dhimbjes kronike tek të moshuarit,” thuhet në raportin e Universitetit Nicolaus Copernicus në Torun, Poloni.

Studimi si u zhvillua

Shkencëtarët ndoqën 205 persona të shëndetshëm mbi 60 vjeç për një periudhë 2-vjeçare, duke matur intensitetin e dhimbjes dhe duke e krahasuar me sasinë e kafesë dhe peshkut që konsumonin.

Dhimbja u vlerësua me një shkallë nga 0 në 10 – nga pa dhimbje deri te dhimbje e padurueshme.

Personat që konsumonin më shumë peshk patën ulje të dhimbjes me 4.45 pikë.

Ata që rritën konsumin e kafesë patën rritje të dhimbjes me 6.56 pikë krahasuar me ata që e pakësuan.

Pse kafeja mund të ndikojë negativisht?

Ekipi sqaroi se kafeina, në sasi të vogla, mund të ndihmojë në lehtësimin e dhimbjes akute. Por konsumi i lartë dhe i vazhdueshëm mund të çojë në:

rritje të ndjeshmërisë së neuroneve

intensifikim të perceptimit të dhimbjes

dobësim të efektit natyror analgjezik të trupit

“Konsumi i lartë kronik i kafeinës mund të shtojë ndjeshmërinë ndaj dhimbjes duke sensibilizuar neuronet,” theksuan studiuesit.

Rezultatet sugjerojnë se të moshuarit me dhimbje kronike mund të përfitojnë nga:

rritja e konsumimit të peshkut të yndyrshëm (si salmon, skumbri, sardele)

ulja e konsumimit të tepërt të kafesë, sidomos nëse tejkalohen disa filxhanë në ditë

Ndërsa kafeja mund të jetë një ndihmë e përditshme për energji, studimi nënvizon se për personat me dhimbje kronike, moderimi mund të jetë çelësi. 

Related Articles

Back to top button