Ministrja e Ambientit, Fitore Pacolli, është paraqitur sot në Gjykatë, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj analistit Azdren Shala, të cilin e ka paditur për shpifje dhe fyerje.
Shala ka munguar në seancën e sotme, ndërsa Pacolli ka dhënë deklarimin e saj para gjyqtarit Ibrahim Maloku, lidhur me pretendimet për postimet e analistit në rrjetet sociale.
Gjatë deklarimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pacolli ka thënë se Shala e kishte quajtur “hajdute” në disa postime të publikuara në korrik të vitit 2025, në një kohë kur, sipas saj, ajo ishte përballur me sulme të shumta publike.
“Për shembull, më 24 korrik 2025, po veçoj fjalët të cilat konsiderohen se janë shpifje ndaj meje: ‘Edhe Fitorja nana e padive dhe e hajnave e njejtë vazhdon, Fitorja dhe shumë të tjerë aty janë hajna ordiner këtu nuk bën me harrue’”, ka deklaruar Pacolli, shkruan IndeksOnline.
Ajo ka përmendur edhe postimet e datave 25 dhe 26 korrik, për të cilat ka thënë se përmbanin fyerje dhe shpifje ndaj saj.
“Më 25 korrik 2025, ai vazhdon me shpifje e fyerje, në mes tjerash thotë: ‘Paramendone qe çfarë situate jemi, as Fitore Pacollin nuk guxojmë me i kallxu nër sy që është hajdute’”, ka theksuar ajo.
Ndërsa, duke iu referuar postimit të 26 korrikut, Pacolli ka deklaruar se Shala kishte vazhduar me fyerje dhe kishte ftuar edhe të tjerët që ta quanin atë “hajne”.
Sipas Pacollit, këto deklarime i kanë shkaktuar stres dhe kanë dëmtuar reputacionin e saj publik, duke ndikuar edhe në gjendjen e saj emocionale dhe të familjarëve të afërt.
“Përkundër deklarimeve të mia publike që secili që shpif dhe fyen ndaj meje do të paditet Asdren Shala ka vazhduar, në këtë formë, mua më ka shkaktuar stres, ka dëmtuar reputacionin tim dhe duke qenë fytyrë publike dhe pozitën si deputete e Kuvendit të Kosovës, ka ftuar njerëz që të më thërrasin hajne”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka folur edhe për rastin që, sipas saj, kishte nxitur një pjesë të sulmeve publike ndaj saj, lidhur me pretendimet për ndërhyrje në Ministrinë e Bujqësisë në përzgjedhjen e fermerëve përfitues.
Pacolli ka thënë se Prokuroria i ka pushuar të gjitha hetimet lidhur me këtë çështje.
“Prokuroria ka pushuar të gjitha hetimet, duke deklaruar se unë, as nuk kam ndërhyrë e as nuk kam ndikuar në rastet që janë drejtuar nga Ministria e Drejtësisë”, ka thënë ajo.
Ministrja ka kërkuar që lënda të zgjidhet dhe që Shala të marrë dënimin që ajo e konsideron të merituar, duke e lidhur këtë me shpifjet dhe presionin publik që pretendon se i është shkaktuar.
Në fund, Pacolli ka kërkuar 10 mijë euro kompensim për dëmin personal dhe publik që, sipas saj, i është shkaktuar nga deklarimet e analistit.
