Deklarata e dëshmitares: Kur ndodhi Banjska, pashë njerëz me armë 

Ajo që do të duhej të paraqitej në gjykatore nuk erdhi, e një dëshmitar i ri u propozua, dhe kështu seanca e së mërkurës për rastin “Bajnska” u shty për 16 janar të vitit të ardhshëm.

Por, para se të vendosej për këtë, jo të gjithë u pajtuan që të thirret për të dëshmuar Millosh Radosavleviq për sulmin terrorist, më të rëndin në Kosovën e pasluftës.

Mirëpo mbrojtja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq nuk u dorëzua derisa u pranua propozimi i saj, raporton Klan Kosova.

Ndryshe prej kësaj pike, për aq kohë sa zgjati seanca, organi i akuzës me avokatët mbrojtës të tre prej të akuzuarve nga 45 sa janë në total, u pajtuan për një tjetër çështje.

Njëzëri ata ranë dakord që të lexohet dëshmia e Dragana Antoijeviq, e cila nuk u paraqit për të dëshmuar përkundër ftesave dhe konfirmimeve nga babi i saj se ajo do të vijë në gjykatë.

E në deklaratën që u paraqit para trupit gjykues, dëshmitarja ka pretenduar se para se të ndodhë sulmi, nuk ka parë njerëz të armatosur afër banesës së saj, por kur ka ndodhur sulmi, po.

Telashe si me serben, trupit gjykues i ka dalë edhe me dëshmitarin e fundit të propozuar nga Prokuroria e Shtetit, e i cili gjendet në Maqedoninë e Veriut.

Kjo çështje vazhdon të mbetet pezull, përkundër se gjykata disa herë ka tentuar të ketë një video-lidhje me të, por për shkak të mungesës së pajisjeve në gjykatën e Shkupit, ka qenë e pamundur.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku.

Krahas Maksimovqit, të arrestuar janë edhe Vlladimir Tolliq e Blagoje Spasojeviq.

Related Articles

Back to top button