Analistët: Rezoluta e Kuvendit ka peshë politike dhe diplomatike

Zhvillimet në Dhomat e Specializuara në Hagë dhe miratimi i rezolutës nga Kuvendi i Kosovës për ish-krerët e UÇK-së ishin temë diskutimi në emisionin “RTK Prime”, ku të ftuar ishin analistë politikë dhe njohës të zhvillimeve në vend.
Në debat u theksua se rezoluta e votuar në Kuvend nuk është një tekst partiak, por dokument i hartuar nga ekspertë dhe profesorë me renome në Kosovë. Panelistët vënë në dukje se dokumenti u përgatit nga një grup ekspertësh të pavarur dhe nuk përfaqëson interesa partiake. Ai u miratua ndërkohë që po vazhdon fjala e mbrojtjes së ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Analisti Sadik Zeqiri tha se rezoluta duhej të miratohej shumë vite më parë.
“Kjo rezolutë është dashur të miratohej që pesë vite, menjëherë pas arrestimit të ish-krerëve të UÇK-së”, tha ai.
Zeqiri shprehu befasi që jo të gjithë deputetët shqiptarë e votuan dokumentin.
“Isha i befasuar se si të gjithë deputetët shqiptarë nuk e votuan këtë rezolutë; ky ishte një gabim”, shtoi ai. Sipas tij, brenda deputetëve të LDK-së ka pjesëtarë të UÇK-së, si dhe familjarë të ish-veteranëve dhe luftëtarëve të UÇK-së.
Ndërkaq, analisti politik Ejup Gojnovci tha se, edhe pse rezoluta nuk ka detyrueshmëri juridike, ajo ka peshë politike dhe diplomatike.
“Kjo rezolutë, edhe pse nuk mbart detyrueshmëri juridike, ka ndikim politik dhe diplomatik, si dhe ushtron presion të brendshëm lidhur me zhvillimet në Hagë”, tha Gojnovci.
Ai shtoi se Kuvendi i dha rëndësi dokumentit duke e votuar atë, por kritikoi qëndrimin e LDK-së, duke e quajtur të gabuar dhe duke theksuar se në momente të tilla nuk duhet të bëhet politikë.
Edhe analistja Fatime Hajdari tha se ishte shumë e rëndësishme që kaloi rezoluta e propozuar nga deputetët e PDK-së, pasi sipas saj kjo krijoi një unitet mes deputetëve.
“Rezoluta të shumta janë miratuar, por s’ka ndodhur ndonjëherë që një rezolutë të bëjë ndonjë kthesë të madhe dhe të bëhet diskutim; ato edhe janë harruar”, tha Hajdari. Ajo foli po ashtu për qëndrimin e LDK-së, duke thënë se kjo parti është kritikuar disa herë për disa qëndrime që, sipas saj, nuk i bëjnë nder as vetë partisë.
Sipas Hajdarit, këto çështje duhet të diskutohen brenda organeve të brendshme të partisë.
Ajo foli po ashtu për qëndrimin e LDK-së, duke thënë se kjo parti është kritikuar disa herë për disa qëndrime që, sipas saj, nuk i bëjnë nder as vetë partisë. Sipas Hajdarit, këto çështje duhet të diskutohen brenda organeve të brendshme të partisë.
Gjatë debatit u diskutua edhe për deklaratat e Prokurorisë lidhur me disa dëshmitarë, siç është ish-diplomati amerikan James Rubin.
Në këtë kontekst, analisti Dorajet Ymeri tha se përmes kontestimit të këtyre deklaratave nga ana e Prokurorisë dhe e vetë gjykatës, po tentohet të goditet partneriteti i Kosovës me fuqitë e mëdha.
Ndërkaq, analisti Ejup Gojnovci u shpreh se Prokuroria po bën “shkarje shumë eklatante”, të cilat sipas tij do të shkojnë në favor të ish-krerëve të UÇK-së.
“Duke kërkuar 180 vjet burgim për ish-krerët e UÇK-së, e tregon vetëm frustrimin që e ka kjo Prokurori ndaj dështimit të tyre që nuk arritën ta dëshmojnë asnjëherë”, tha Gojnovci.






