Amerika kërkon zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë

(Radio Evropa e Lirë) Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e arritur në shkurt të vitit 2023 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, përfaqëson një hap pozitiv drejt normalizimit mes dy vendeve, të cilat “duhet të synojnë përparim të shpejtë në zbatimin e Aneksit të kësaj marrëveshjeje”.

Kështu thuhet në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që u miratua nga dy dhomat e Kongresit amerikan dhe u nënshkrua në ligj nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 18 dhjetor.

“Pasi të arrihet përparim i mjaftueshëm, SHBA-ja duhet të shqyrtojë iniciativa për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet”, thuhet në tekst, duke shtuar se kjo përfshin dialogun strategjik dypalësh dhe nisma konkrete për thellimin e lidhjeve ekonomike dhe investimeve.

Sipas aktit, SHBA-ja duhet të vazhdojë mbështetjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, e bazuar në njohjen e ndërsjellë, duke mos mbështetur shkëmbime territoriale, ndarje apo ndryshime të tjera të kufijve sipas linjave etnike në Ballkanin Perëndimor për zgjidhjen e konflikteve, dhe duhet t’i mbështesë demokracitë pluraliste në rajon si një mjet për të parandaluar rikthimin e konflikteve etnike.

Kjo marrëveshje prej 11 nenesh, që njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit, ndër tjerash, parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë edhe të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

Akti Kombëtar për Mbrojtje për vitin fiskal 2026 autorizon shpenzim vjetor rekord për ushtrinë amerikane që arrin vlerën e 901 miliardë dollarëve, 8 miliardë më shumë seç kishte kërkuar Trumpi.

Akti përfshin gjithçka, nga numri i anijeve, avionëve dhe sistemeve raketore që do të blihen, e deri te rritja e pagave për ushtarët dhe mënyra se si do të adresohen kërcënimet gjeopolitike.

Teksti i këtij dokumenti përmend një sërë çështjesh, përfshirë edhe varësinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga energjia ruse. Aty thuhet se kjo varësi lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Moskën dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian, ndërsa korrupsioni, përfshirë edhe në nivelet e udhëheqësve kryesorë politikë, vazhdon të përbëjë një nga pengesat më të mëdha për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe politik të rajonit.

Në Aktin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare thuhet se ulja e varësisë së Ballkanit Perëndimor nga gazi dhe karburantet fosile ruse është në interes kombëtar të SHBA-së, dhe se Uashingtoni duhet të mbështesë anëtarësimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

“Varësia e vendeve të Ballkanit Perëndimor nga burimet fosile ruse dhe gazi natyror lidh ekonomitë dhe politikën e tyre me Federatën Ruse dhe pengon aspiratat e tyre për integrim evropian”, thuhet në këtë dokument.

Rritja e ndikimit të Kinës në Ballkanin Perëndimor gjithashtu mund të ketë ndikim të dëmshëm në konkurrencën strategjike, demokracinë dhe integrimin ekonomik me Evropën, thuhet në dokument, ku kërkohet që sekretari i Shtetit, në koordinim me atë të Mbrojtjes, drejtorin e Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës dhe agjencitë e tjera përkatëse, t’i raportojë rregullisht Kongresit për ndikimin dashakeq të Rusisë dhe Kinës në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Related Articles

Back to top button