Zyra e BE-së: Moscertifikimi i Listës Serbe, hap i gabuar që rrezikon standardet zgjedhore

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka reaguar pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.
BE-ja vlerëson se ky hap dëmton standardet e një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe bie ndesh me praktikat ndërkombëtare.
Në reagimin e saj, BE shprehet se “keqardhja” për vendimin e KQZ-së lidhet me ndikimin politik në vendimmarrje.
Sipas tyre, politizimi i institucionit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe parti të tjera rrezikon integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve.
Me dy vota pro, dy kundër dhe shtatë abstenime, Lista Serbe mbeti jashtë listës së subjekteve të miratuara për garë, një situatë e ngjashme me zgjedhjet e 9 shkurtit, ku po ashtu nuk u arrit shumica e nevojshme për certifikim.
Reagime për vendimin e KQZ-së më herët dhanë edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë, si dhe Misioni i OSBE-së, të cilët po ashtu shprehën shqetësime për pasojat që ky vendim mund të ketë në procesin zgjedhor.






