Neurologu paralajmëron: Nuk fle kurrë me kufje në vesh – “Rritet rreziku i humbjes së dëgjimit dhe demencës”

Një neurolog ka bërë publike tre zakone të përditshme që ai refuzon t’i praktikojë për të mbrojtur shëndetin e trurit, ndërsa njëri prej tyre është shumë i përhapur te miliona njerëz: fjetja me kufje ose earphones në vesh.
Dr. Bing, neurolog, mjek-shkencëtar dhe epidemiolog, i cili ndan këshilla shëndetësore me mbi 200 mijë ndjekës, ka shpjeguar praktikat që ai shmang në jetën e përditshme – duke nisur nga përdorimi i kufjeve gjatë gjumit.
Sipas tij, ndonëse dëgjimi i podkasteve apo zhurmave qetësuese para gjumit mund të duket i padëmshëm, nëse bëhet gabim, mund të shkaktojë dëme afatgjata.
Ai pranon se shumë njerëz kanë nevojë për zë për të fjetur, por thekson se volumi është vendimtar.
“Nëse dikush fle me kufje, duhet të sigurohet që tingujt të jenë shumë të ulët. Zhurmat e forta dëmtojnë qelizat e imëta të dëgjimit në veshin e brendshëm dhe me kalimin e kohës rrisin rrezikun për humbje dëgjimi dhe demencë,” ka deklaruar Dr. Bing.
Ekspertët e dëgjimit kanë paralajmëruar prej kohësh se këto qeliza janë shumë delikate dhe nuk rigjenerohen, çka e bën humbjen e dëgjimit të përhershme.
Një studim i Johns Hopkins, që ndoqi 639 të rritur për gati 12 vjet, zbuloi se:
humbja e lehtë e dëgjimit dyfishon rrezikun e demencës;
humbja e moderuar e dëgjimit e trefishon atë.
Rrezik infeksionesh dhe dëmtime të veshit
Volumi nuk është problemi i vetëm. Dr. Bing paralajmëron se mbajtja e kufjeve ose earbuds për orë të tëra, sidomos gjatë natës, krijon një mjedis ideal për grumbullimin e lagështisë dhe baktereve.
“Kjo rrit rrezikun për infeksione në vesh,” shpjegon ai.
Gjithashtu, kufjet që nuk përshtaten mirë mund të shkaktojnë irritim dhe dëmtim të lëkurës së kanalit të veshit, veçanërisht nëse ushtrojnë presion çdo natë.
Në raste të rralla, trauma e përsëritur mund të pengojë qarkullimin e gjakut dhe të çojë në nekrozë – një gjendje serioze ku qelizat e lëkurës vdesin dhe shfaqen njolla të errëta.
Ndikim negativ në gjumin e thellë dhe “pastrimin” e trurit
Neurologu paralajmëron gjithashtu se zhurmat gjatë gjumit mund të ndërhyjnë në një nga funksionet më të rëndësishme të trurit: gjumit të thellë.
“Nëse dëgjohen tinguj gjatë gjithë natës, sidomos me volum të lartë, kjo mund të prishë gjumin e thellë dhe të dëmtojë sistemin limfatik të trurit – mekanizmin që gjatë natës pastron toksinat,” shpjegon ai.
Deklaratat e tij shkaktuan reagime të shumta në rrjete sociale, ku shumë persona pranuan se varen nga kufjet për të fjetur, veçanërisht për shkak të partnerëve që gërhasin.
Shëndeti oral dhe lidhja me trurin
Zakoni i dytë që Dr. Bing e konsideron të panegociueshëm lidhet me higjienën orale, një aspekt që sipas tij nënvlerësohet rëndë kur bëhet fjalë për shëndetin e trurit.
Ai praktikon rregullisht pastrimin me fill dentar, pastrim me ujë dhe larje të dhëmbëve, duke u bazuar në studime të fundit shkencore.
Një studim i vitit 2025 tregoi se personat me më shumë probleme të mishrave të dhëmbëve dhe kavitete kishin gati dyfish rrezikun për goditje në tru. Studime të tjera e kanë lidhur shëndetin e dobët oral me demencën dhe rënien njohëse.
Edhe pse thekson se bëhet fjalë për lidhje statistikore dhe jo domosdoshmërisht shkakësi direkte, Dr. Bing thotë se modeli është shumë i qëndrueshëm për t’u injoruar.
“Mos qëndroni gjatë në tualet”
Zakoni i tretë mund të duket i pazakontë, por sipas neurologut, pasojat i sheh shpesh në praktikën e tij mjekësore.
Ai thotë se nuk qëndron kurrë më shumë se pesë minuta në tualet.
Qëndrimi i gjatë, sidomos me sforcim, mund të shkaktojë grumbullim të gjakut në këmbë dhe ulje të papritur të tensionit të gjakut.
“Kur nuk shkon mjaftueshëm gjak në tru, personi mund të humbasë ndjenjat. Këtë e shoh pothuajse çdo javë,” shpjegon ai.
Megjithëse pranon se personat me probleme kronike të zorrëve mund të mos kenë zgjedhje, mesazhi i tij për të tjerët është i qartë: të shmangin qëndrimin e gjatë dhe përdorimin e telefonit në tualet.






