Zgjoheni vazhdimisht në orën 3 të mëngjesit dhe nuk ju zë më gjumi? Mjeku jep këshillën

Zgjimi i papritur në mes të natës, një vështrim i shpejtë nga ora e alarmit dhe e njëjta skenë përsëritet: ora 3 e mëngjesit. Sërish.

Zgjimi në këto orë “të errëta” natë pas nate mund të jetë jashtëzakonisht shqetësues. Megjithatë, sipas një eksperti të njohur të gjumit, çelësi për të rënë sërish në gjumë është pikërisht pranimi i faktit që jeni zgjuar.

Dr. David Garley, mjek i përgjithshëm në NHS dhe drejtor i klinikës The Better Sleep Clinic, shpjegon se presioni që i vendosim vetes për të fjetur përsëri është shpesh arsyeja kryesore pse gjumi nuk vjen.

Sipas tij, nëse dikush zgjohet i irrituar nga fakti që është zgjuar dhe ky nervozizëm e pengon të flejë sërish, atëherë problemi nuk është vetë zgjimi, por reagimi ndaj tij. Në realitet, trupi ynë zgjohet herë pas here gjatë natës dhe kjo është krejtësisht normale.

Edhe pse jeta moderne funksionon sipas orareve të rrepta 24-orëshe, trupi i njeriut ndjek një orë të brendshme biologjike, të quajtur ritëm cirkadian. Ky ritëm rregullon ciklin gjumë–zgjim dhe ndryshon nga një person te tjetri.

Ai ndikohet nga drita dhe errësira dhe kontrollon ndjenjën e përgjumjes apo vigjilencës përmes hormoneve si melatonina dhe kortizoli. Ndryshe nga sa mendohet shpesh, askush nuk fle pa u zgjuar gjatë natës. Gjumi ndodh në cikle rreth 90-minutëshe dhe pas çdo cikli ndodh një zgjim i shkurtër.

Fillimisht, trupi hyn në gjumë të lehtë, më pas kalon në faza më të thella dhe rreth 30 minuta më vonë hyn në një gjendje edhe më të thellë. Pas kësaj vjen faza REM, e lidhur me ëndrrat e gjalla, ku aktiviteti i trurit është pothuajse i njëjtë me atë të gjendjes së zgjuar.

Pas çdo cikli gjumi, trupi zgjohet për pak çaste dhe më pas kalon në ciklin tjetër. Disa njerëz i përjetojnë këto zgjime më fort, sidomos nëse janë të stresuar, duke kaluar në një gjendje zgjuarjeje të plotë.

Ora 3 e mëngjesit është veçanërisht problematike edhe për shkak të asaj që ndodh brenda trupit. Kjo orë përkon shpesh me pikën më të ulët të ritmit cirkadian, fazën më të thellë të natës, kur temperatura e trupit bie. Në disa raste, kjo rënie e temperaturës mund të jetë aq e theksuar sa të zgjojë njeriun.

Një tjetër faktor është koha e tepërt e kaluar në shtrat. Nëse një person ka nevojë për shtatë orë gjumë, por qëndron në shtrat për nëntë orë, dy orë zgjuarje duhet të “akomodohen” diku gjatë natës.

Sipas rekomandimeve të NHS-së, të rriturit kanë nevojë për shtatë deri në nëntë orë gjumë në natë, fëmijët për nëntë deri në 13 orë, ndërsa foshnjat dhe të vegjlit për 12 deri në 17 orë. Mungesa kronike e gjumit lidhet me rrezik më të lartë për obezitet, sëmundje të zemrës dhe diabet të tipit 2, si dhe me probleme serioze shëndetësore si goditja në tru, kanceri dhe infertiliteti.

Megjithatë, zgjimi gjatë natës nuk do të thotë automatikisht pagjumësi. Pagjumësia prek miliona njerëz dhe mund të shkaktohet nga stresi, ankthi, alkooli, kafeina, nikotina, zhurmat, puna me turne ose ndryshimi i shpejtë i orës biologjike (jet lag).

Një tjetër arsye për zgjimin rreth orës 3 është rënia natyrale e nivelit të sheqerit në gjak, e cila nxit çlirimin e kortizolit – hormonit të stresit. Ky hormon na zgjon në mëngjes, por tek disa persona mund të shkaktojë zgjim edhe në mes të natës.

Me kalimin e moshës, trupi prodhon më pak melatoninë, hormonin që nxit gjumin. Kjo mund të çojë në copëzimin e gjumit, prandaj suplementet me melatoninë zakonisht funksionojnë më mirë tek personat mbi 55 vjeç.

Gjumi bëhet më i fragmentuar edhe për shkak të problemeve shëndetësore që shfaqen me moshën, si artriti apo dhimbjet kronike. Gjithashtu, nëse efektet e ilaçeve kundër dhimbjes mbarojnë rreth orës 3 të mëngjesit, zgjimet bëhen më të shpeshta.

Një arsye tjetër e zakonshme, sidomos te burrat e moshuar, është nevoja për të shkuar në tualet. Nëse kjo ndodh shpesh, rekomandohet konsultë me mjekun për të përjashtuar probleme serioze, përfshirë edhe ato të prostatës. Djersitjet e natës mund të jenë gjithashtu shkak zgjimi dhe, nëse shoqërohen me rrahje të shpejta zemre ose valë të nxehta, kërkojnë vlerësim mjekësor.

Po çfarë duhet bërë kur zgjimi në orën 3 nuk shoqërohet me rikthim të gjumit?

Dr. Garley këshillon që, nëse gjumi nuk vjen, është më mirë të ngriheni nga shtrati dhe të shkoni në një dhomë tjetër. Aktivitetet duhet të jenë qetësuese dhe shpërqendruese, si leximi ose shikimi i televizorit, pa synuar me forcë të bini në gjumë.

Ideja është të pritet natyrshëm vala e përgjumjes që rikthehet vetvetiu. Gjumi vjen në “valë” dhe zgjimi nuk është problem në vetvete. Ajo që duhet shmangur është nervozizmi, ndërsa pritet që trupi të jetë gati për të fjetur sërish. 

Related Articles

Back to top button