120 kamera familjare dhe biznesi nën kontrollin e hakerave

KORE E JUGUT- Katër persona janë arrestuar në Korenë e Jugut me akuzën e hakimit të më shumë se 120,000 kamerave në shtëpi dhe biznese, duke shfrytëzuar dobësitë e sigurisë dhe fjalëkalimet e thjeshta për të krijuar dhe shpërndarë materiale me përmbajtje seksuale eksplicite në një faqe interneti të huaj të paligjshme.
Sipas autoriteteve, personat e arrestuar dyshohet se kanë shfrytëzuar dobësitë në kamerat e shtëpisë, të cilat janë të lidhura me rrjetet e shtëpisë dhe shpesh përdoren për arsye sigurie ose për të monitoruar fëmijët dhe kafshët shtëpiake. Vendet ku u gjetën kamerat e hakuara përfshijnë shtëpi, dhoma karaoke, studio Pilates dhe një klinikë gjinekologjike.
Sipas BBC-së, policia sqaroi se katër të dyshuarit duket se kanë vepruar në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri, pa bashkëpunuar. Njëri prej tyre akuzohet për hakimin e 63,000 kamerave dhe prodhimin e 545 videove me shfrytëzim seksual, të cilat dyshohet se i shiti për 12,235 dollarë në asete virtuale. Një i dyshuar i dytë dyshohet se ka hakuar 70,000 kamera dhe ka shpërndarë 648 video, duke fituar 18 milionë.
Këta dy autorë dyshohet se janë përgjegjës për rreth 62% të materialit të paligjshëm të postuar vitin e kaluar në një faqe interneti që shpërndan ilegalisht video nga kamerat IP të hakuara. Autoritetet tani po lëvizin për të bllokuar dhe mbyllur faqen e internetit, ndërsa po bashkëpunojnë me agjencitë e huaja për të identifikuar dhe hetuar administratorin.
Në të njëjtën kohë, tre persona janë arrestuar për dyshimin e blerjes ose shikimit të materialeve përmes kësaj platforme.






